Opinion

Jeton Muҫollari: Partitë politike, shkolla e demokracisë apo pronë e kryetarëve

Me parti të demokratizuara, rotcioni bëhet më i lehtë, Shqipëria më e mirë!

Një opozitë demokratike nuk ka nevojë ta kthejë çdo pakënaqësi në përplasje për të dëshmuar se ekziston. Ajo duhet të bindë qytetarët me programin, alternativën dhe aftësinë për të qeverisur. Një qeveri demokratike, nga ana e saj, nuk duhet ta shohë çdo protestë si kërcënim, por si një sinjal që kërkon përgjigje politike dhe institucionale. Prandaj, demokracia e brendshme e partive nuk është një çështje e vogël organizative. Ajo lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e qeverisjes, besimin e qytetarëve, funksionimin e opozitës dhe mundësinë e zgjidhjes paqësore të konflikteve.

Partitë politike janë një nga shtyllat themelore të demokracisë, Ato mbledhin rreth vetes qytetarë me bindje të ngjashme, kanë ide dhe programe, përfaqësojnë interesat e tyre, konkurrojnë në zgjedhje, kur marrin besimin e shumicës, marrin përgjegjësinë për qeverisjen e vendit. Ato duhet të jenë ura që lidh qytetarin me institucionet, zëri përmes të cilit shoqëria shpreh shqetësimet dhe instrumenti përmes të cilit kërkon ndryshimin. Por, çfarë ndodh kur vetë kjo urë nuk funksionon në mënyrë demokratike? Çfarë ndodh kur një parti, që kërkon të qeverisë miliona qytetarë, nuk arrin të garantojë demokracinë brenda radhëve të saj? A mund të ndërtojë demokraci në shoqëri një organizatë që nuk e praktikon atë në jetën e vet të brendshme? Këtu qëndron një nga paradokset e politikës sonë: partitë kërkojnë votën e lirë të qytetarëve, por jo gjithmonë garantojnë lirinë e anëtarëve të tyre; kërkojnë llogaridhënie nga kundërshtarët, por shpesh nuk e ushtrojnë atë ndaj drejtuesve të vet; flasin për ndryshimin, por mund të mbeten për vite të tëra nën të njëjtën mendësi dhe të njëjtën mënyrë drejtimi. Një parti demokratike nuk është thjesht një parti që organizon zgjedhje për forumet e kryetarin. Ajo është një organizatë ku ka konkurrencë të ndershme, ku anëtarët kanë të drejtë të shprehin lirisht mendime të ndryshme, ku forumet mblidhen dhe vendosin, ku drejtuesit japin llogari dhe ku askush nuk është i pazëvendësueshëm. Demokracia e brendshme nuk duhet të jetë një formalitet statutor, por një kulturë politike konstante.

-Shumë parti, por sa demokraci ka brenda tyre?

Në Shqipëri operojnë shumë parti politike, por numri i tyre nuk përbën domosdoshmërisht një tregues të pluralizmit të shëndetshëm. Disa kanë struktura të organizuara dhe anëtarësi të konsoliduar; të tjera mbështeten nga një grup i vogël njerëzish, në rrjetet sociale ose në aktivitetin e një drejtuesi. Ka parti me seli e emër, por me ndikim të kufizuar elektoral, ndërsa për disa të tjera publiku mezi njeh programin, strukturat apo edhe drejtuesit. Kështu, pluralizmi politik rrezikon të mbetet më shumë pluralizëm emrash sesa pluralizëm idesh, alternativash dhe organizatash që funksionojnë realisht.

Por problemi më i madh nuk qëndron te partitë e vogla, që mund të mos kenë arritur ende të konsolidohen, por kur edhe partitë e mëdha, ato që kanë marrë përsipër të qeverisin vendin ose që përfaqësojnë opozitën, nuk arrijnë të dëshmojnë standardet e demokracisë së brendshme. Partitë parlamentare kanë një përgjegjësi të veçantë. Ato nuk janë thjesht organizata private që konkurrojnë për pushtet; ato ndikojnë drejtpërdrejt në përbërjen e institucioneve, në hartimin e ligjeve dhe në jetën e çdo qytetari. Për këtë arsye, mënyra se si funksionojnë brenda tyre ka rëndësi për të gjithë shoqërinë, prandaj dhe duhet të bëhen objekt diskutimi publik.

-Partia Socialiste: pushteti dhe mungesa e debatit të brendshëm

Partia Socialiste, pas një periudhe të gjatë në pushtet që nga viti 2013, përballet me një pyetje thelbësore: sa e hapur është ndaj debatit të brendshëm dhe sa efektive janë mekanizmat e saj të kontrollit politik? A zgjidhen strukturat dhe funksionojnë forumet sipas statutit? A kanë anëtarët mundësi reale të kundërshtojnë drejtimin? A dëgjohet fjala ndryshe, edhe kur ajo vjen nga brenda partisë? A mblidhen forumet për të analizuar vendimet e qeverisë, për të diskutuar problemet e vendit dhe për të kërkuar përgjegjësi nga ata që ushtrojnë pushtetin? Pikërisht këtu është problemi. Kur një parti qëndron për shumë vite në pushtet, rritet rreziku që ajo të identifikohet gjithnjë e më shumë me kryetarin dhe me qeverinë, ndërsa forumet e saj të shndërrohen në mekanizma miratimi dhe jo në hapësira të debatit kritik. Kjo ka ndodhur edhe me këtë parti, prandaj ka humbur një funksion të rëndësishëm: aftësinë për të korrigjuar gabimet e veta përpara se ato të shndërrohen në probleme të mëdha shoqërore. Një parti që nuk dëgjon kritikën nga brenda, vështirë se do ta dëgjojë me lehtësi kur ajo vjen nga rruga. Këto defekte të vërejtura prej kohësh ka bërë që të agravojë situata deri në këtë gjëndje, ku revolta shpërthen me tepri.

-Partia Demokratike: historia, lidershipi dhe kostoja e mungesës së rotacionit

Partia Demokratike lindi në dhjetor të vitit 1990, në kushtet e rënies së regjimit komunist, si shprehje e aspiratës për liri, pluralizëm dhe demokraci. Ajo përfaqësoi për shumë qytetarë shpresën se Shqipëria do të ndërtonte një sistem politik ku pushteti do të ishte i kufizuar, institucionet do të ishin të pavarura dhe qytetari do të kishte fjalën e tij. Por çfarë ndodh kur një parti që lindi për të sfiduar një sistem të mbyllur nuk arrin të sigurojë vazhdimisht hapjen dhe konkurrencën brenda vetes? Partia Demokratike ka kaluar ndarje, konflikte për drejtimin dhe procese të kontestuara të legjitimitetit të brendshëm. Edhe zgjedhja e kryetarit nuk u bë nën konturet e demokracisë së brendëshme. Prandaj, pyetja për demokracinë e saj nuk është thjesht nëse organizon votime për kryetarin, por nëse këto procese garantojnë konkurrencë të barabartë, besueshmëri, respektim të rregullave dhe pranim të rezultatit nga të gjithë. Një drejtues mund të rizgjidhet në mënyrë të ligjshme dhe të marrë mbështetje të përsëritur, por, kur rizgjedhja shoqërohet me dobësimin e alternativave, përjashtimin e kundërshtarëve të brendshëm ose pamundësinë për të zhvilluar një garë të barabartë, atëherë lind një problem serioz. A ka një kosto politike fakti që një drejtues mbetet për dekada figura qëndrore e një partie? Një parti nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke u mbështetur vetëm te e kaluara dhe as ta zëvendësojë programin me besnikërinë ndaj një individi. Partia Demokratike do të kishte pasur mundësi më të mëdha për t’u rikthyer në pushtet nëse do të kishte krijuar një kulturë më të qëndrueshme të konkurrencës së brendshme, të rinovimit të lidershipit dhe të përgjegjësisë për humbjet elektorale. do kishte dhe mbështetje më të madhe në popull. Dhe, kur opozita dobësohet nga brenda, dobësohet edhe mundësia e qytetarëve për të zgjedhur një alternativë qeverisëse të besueshme. Kjo ka bërë që protestuesit të vinin shenjën e barazimit midis kryetarit të partisë qeverisëse dhe atij të opozitës me mesazhet nga protesta.

-Nga pakënaqësia te dhuna: përgjegjësia e politikës

Protesta është një e drejtë demokratike. Ajo është mënyra se si qytetarët shprehin pakënaqësinë, kundërshtojnë vendimet e qeverisë dhe kërkojnë ndryshim kur mendojnë se institucionet nuk i dëgjojnë. Por protesta paqësore dhe dhuna nuk janë e njëjta gjë. Sulmet ndaj policisë, djegia e institucioneve dhe dëmtimi i bizneseve private nuk e bëjnë më të drejtë kauzën e tyre. Përkundrazi, mund të dëmtojnë qytetarë të pafajshëm dhe të zhvendosin vëmendjen nga problemet që e kanë shkaktuar protestën e të humbasin mbështetjen. Protestat e dhunshme të ditëve të fundit në Tiranë, të shoqëruara me kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit dhe me zemërimin për korrupsionin e probleme të tjera të qeverisjes, e bëjnë edhe më të domosdoshme këtë debat. Kur drejtuesit e opozitës e shohin zemërimin e studentëve dhe të grupeve të tjera shoqërore kryesisht si mundësi të vetme për tu ngjitur në pushtet, ekziston rreziku që pakënaqësia e qytetarëve të përdoret për të dy krahët e politikës. Dhe protesta e ka shprehur këtë nëpërmjet mesazheve gjatë protestave. Thirrja oshëtitëse Rama në burg, Berisha në burg e tregon këtë pakënaqësi. Ditët e fundit kjo thirrje është dobësuar për njërin kah të politikës, jo se demokratizimi I asaj partie ndodhi brenda një kohe të shkurtër, pasi asgjë nuk ka ndryshuar, por shohin që Rama është përgjegjësi kryesor aktual I kësaj gjëndje.

-Demokracia duhet të fillojë brenda partive

Nëse partitë shqiptare do të ishin më të demokratizuara, rotacioni politik do të ishte më i lehtë dhe shumë prej konflikteve mund të zgjidheshin përpara se të dilnin jashtë kontrollit. Kur një parti ka rregulla të qarta, drejtues të përgjegjshëm, struktura funksionale dhe mundësi reale për rinovim, ajo mund të korrigjojë gabimet pa u zhytur në kriza të pafundme. Një opozitë demokratike nuk ka nevojë ta kthejë çdo pakënaqësi në përplasje për të dëshmuar se ekziston. Ajo duhet të bindë qytetarët me programin, alternativën dhe aftësinë për të qeverisur. Një qeveri demokratike, nga ana e saj, nuk duhet ta shohë çdo protestë si kërcënim, por si një sinjal që kërkon përgjigje politike dhe institucionale. Prandaj, demokracia e brendshme e partive nuk është një çështje e vogël organizative. Ajo lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e qeverisjes, besimin e qytetarëve, funksionimin e opozitës dhe mundësinë e zgjidhjes paqësore të konflikteve.