Korridori VIII bllokon një fshat të tërë, banorët e Mirakës paralajmërojnë protestë
Banorët e fshatit Mirakë dhe të disa fshatrave të tjerë të Njësisë Administrative Polis dhe Valë në bashkinë e Librazhdit kanë paralajmëruar zhvillimin e një proteste paraditen e së hënës, duke kundërshtuar projektin e zgjerimit të segmentit Elbasan–Qafë Thanë, Faza II, pjesë e Koridorit VIII.
Protesta është njoftuar të nisë rreth orës 09:00, ndërsa banorët shprehen se nuk janë kundër investimit dhe ndërtimit të rrugës së re, por kundërshtojnë faktin që projekti nuk parashikon një hyrje-dalje në karrexhatën e majtë për t’u shërbyer fshatrave Mirakë, Gostimë, Qendër, Gurshpatë, Vilan, Sheh dhe Valë.
Sipas tyre, mungesa e një daljeje të drejtpërdrejtë drejt aksit kryesor do të krijojë izolim për mijëra banorë, duke vështirësuar lëvizjen e përditshme, transportin e produkteve bujqësore, qarkullimin e mjeteve të transportit publik, si dhe ndërhyrjet në raste urgjencash shëndetësore.
Në kërkesën zyrtare që banorët i kanë drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar më 9 korrik 2026, ata kanë propozuar realizimin e një hyrje-daljeje në kilometrat 5+400 dhe 5+800, duke shfrytëzuar edhe infrastrukturën ekzistuese pranë urës së Mirakës dhe një shesh pushimi të ndërtuar përgjatë aksit. Në shkresë argumentohet se kthimi aktual përmes Nyjës së Xibrakës zgjat itinerarin me rreth 6 kilometra, ndërsa në raste emergjencash ambulancat humbasin 15 deri në 20 minuta, kohë që sipas banorëve mund të jetë vendimtare për shpëtimin e jetëve.


