Përgjysmohet sasia e mjaltit/ Bletarët në krizë, moti dëmtoi prodhimin; pritet rritje e ndjeshme çmimit
Këtë vit bletarët shqiptarë po marrin 50% më pak mjaltë se një vit më parë dhe kjo vjen nga ekstremiteti i shifrave të termometrit gjatë pranverës dhe verës.
Engjëllush Spaho thotë se kësaj here janë kushtet klimatike ato që po ndikojnë në uljen e prodhimit të mjaltit.
“Këtë vit ka më pak mjaltë dhe rënia u pa menjëherë pas muajit maj. Nëse vjet në një koshere kam nxjerrë 12-15 kg mjaltë, kësaj here jemi më poshtë se 8 kg për koshere”, shprehet Engjëllush Spaho, bletrritës.
Ulja e prodhimit të mjaltit do të sjellë rritje të çmimit për ne konsumatorët.
“Çmimi do të rritet për të justifikuar kostot e bletarit. Mjalti do të kushtojë 15% më tepër”.
Bletërritësi thotë se, për të ndryshuar këtë realitet dhe kosheret të mbushen me mjaltë, zgjidhja duhet të vijë nga njeriu dhe jo të presim gjithmonë natyrën.
“Tokat që janë bosh duhet të mbillen me perko, sepse pa kullotë bletët ikin dhe këtë e kemi në dorë ta bëjmë”, thotë Spaho.
Ndërkohë që nxehtësia e madhe dëmtoi lulet nektardhënëse dhe shiu pengoi bletët të punonin në pranverë, bletërritësit depozituan më pak mjaltë në kavanoza. Ulja e prodhimit do ta detyrojë tregun të ëmbëlsohet me mjaltë importi, i cili nuk ka as shijen dhe as vetitë e mjaltit “Made in Albania”.


