Aktualitet

Kujtim Boriçi: Dyshimet për shfrytëzimin e kromit nga jugosllavët në nëntokën shqiptare, si u mblodhën provat dhe letra drejtuar jugosllavëve

Pjesë të tjera nga libri i Kujtim Boriçit, “Operacioni Top-Sekret, ‘Nëntoka’

Krijimi i Komisionit Qendror i Përbashkët Shqiptaro-Jugosllav i Incidenteve,  diskutime të gjata herë-herë të ashpra , grupi i punës me specialistët shqiptarë përballë kolonelëv të UDB

Kjo minierë paraqet një objekt të kromit me një vlerë ekonomike mjaft të rëndësishme gjë që i ka shtyrë jugosllavët të hyjnë në territorin tonë me mendimin që po u kapën të kërkojnë të falur dhe duke pranuar të paguajnë një vlerë të tillë.

NOA

Ai e kuptoi si tekstin dhe nëntekstin, sepse m’ u përgjigj si me shaka: “Jemi të gjithë në dispozicionin tënd.” Nuk më dha asnjë informacion, por një ditë erdhi bashkë me gjeologun Ali Duro, që në atë kohë punonte në Tropojë. U vendosëm në piramidën kryesore C/13 M, 1005m ku qëndruam për disa orë rresht dhe shkëmbyem mendime. Shkova në Fier dhe bisedova me drejtorin e Gjeofizikës Novrus Kodhelin. Ai më dëgjoi me shumë interes, ju bë qejfi që po ndiqej ky problem i rëndësishëm. Më siguroi se nga ana teknike përcaktohen me saktësi largësitë që kërkoheshin . Për të lëvizur aparaturat e sizmologjisë duhej të urdhëronte Ministria e Miniera –Gjeologji. I autorizuar nga M. P. B bashkë me një kuadër me përgjegjësi të ministrisë Koço Kostandini shkuam në një takim në zyrën e zëvendësministrit Zenel Hamiti. Më dëgjoi me vëmendje dhe e vlerësoi si problem. Bëri dhe pyetje. Por kur i thashë që duheshin bërë disa matje shumë të rëndësishme, që ndihmojnë zgjidhjen e problemit duke çuar aparatet sizmologjike në Tropojë, pa pyetur u përgjigj ‘Për të shkuar atje makineritë duhen miliona lekë. Ku t’i gjejmë ne more djalë? Punojmë me plane”! Ngela shumë i habitur. Nuk e prisja këtë përgjigje. Ndihma që kërkohej nga Ministria ishte shumë e rëndësishme dhe vendimtare. Deri në atë kohë ishte përcaktuar afërsisht vendi i plasjes së minave. Disa herë kisha qenë atje në muaj të ndryshëm, në kohë të mirë dhe të keqe, ditën dhe natën, por nuk mund të flisje me saktësi sesa metra larg kufirit bëheshin plasjet e minave, sepse përbërja e tokës ishte e ndryshme. Mundet që brenda të ketë edhe zgavra (boshllëqe) që ta ofrojnë vendin e plasjeve. Por mund të ndodhë që shtresat kompakte në brendësi ta largojnë më shumë se duhet. Plasjen e minave e kishim dëgjuar nga pozicione të ndryshme duke u nisur nga vija e kufirit dhe kishim përcaktuar edhe largësinë e përafërt rreth 100m si dhe lartësinë në një nga vijat e kufirit shtetëror. Kishim bërë llogaritje të kohës që duhej për ngarkim vagoni me mineral, e deri në daljen jashtë nga miniera: dinim shpejtësinë e lëvizjes së vagonëve në minierë dhe me ndihmën e këtyre , rrugën (afërsisht) .si rezultat dilte që punimet kryheshin brenda territorit tonë, afërsisht rreth100m. Megjithë vështirësitë e ndryshme: të motit, terrenit u arrit që të bëheshin të gjitha matjet dhe llogaritjet topo-gjeodezike të një saktësie të lartë. U përpilua plani në shkallë 1:2000, që përfshinte gjithë gjatësinë e kufirit nga piramida kufitare kryesore C\13 dhe C13\1 ,C13\2 dhe C13/ 3 me një gjatësi prej 1 km dhe me thellësi nga kufiri shtetëror deri në 2 km. U llogaritën dhe u përcaktuan me matje direkt dhe indirekte (grafike dhe numerike) pika e hyrjes së minierës si largësi dhe si lartësi deri në kufirin shtetëror. Kuotat e piramidave ndërmjetëse. U përcaktua me saktësi vendi ku do të vendoseshin aparatura sizmike në afërsi të rrugës automobilistike Kamë –Qafë Prushi-Devë.

U fotografua nga vija e kufirit hyrja e minierës në përpjekje për të llogaritur indirekt gjatësinë e punimeve minerale. Për ta bërë më të qartë dhe me konkret problemin u ndërtua një maket prej allçie, në shkallën 1,2500. U përdor dhe një hartë 1;50000 që u ble në një librari në Beograd. U përpoqëm të maskonim punimet që kryheshin, pra, për të penguar rrjedhën e ndonjë informacioni për qëllimin e punimeve, sepse jugosllavët po ta merrnin vesh e kishin shumë të lehtë që më pas të mbyllnin minierën në pjesën tonë.

Deri në vitet gjashtëdhjetë për njohjen, zbulimin dhe shfrytëzimin e kromit kishte shumë të dhëna, studime dhe një praktikë të madhe për shfrytëzimin dhe shitjen e tij. Kromi ishte zbuluar që përpara viteve 1912 në Krumë, përpara fillimit të Luftës së Parë Botërore. Italianët zbuluan vend burime kromi në Pogradec, Martanesh, Tropojë etj., dhe filluan shfrytëzimin e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore po italianët kryen investime të mëdha. U vunë në shfrytëzim minierat e kromit Kepenikut, Zogajt etj, që arrinin të jepnin deri 20.000 ton në vit. Pastërtia arrinte deri 40-50% dhe çmimi pesëqind franga për ton. Punonin rreth 200 punëtorë, pothuajse të gjithë italianë. Kromi i prodhuar transportohej nga Gjakova për në tregjet jashtë . Gjermanët e vazhduan shfrytëzimin e kromit duke e rritur prodhimin. Thuhej se kishte raste që pushkë të prodhimit gjerman kishin të shënuar inicialet e kromit të Kamit. Gjeologët e dinin mirë se kromi shfaqet në lartësi 200-400m mbi nivelin e detit, por edhe më thellë dhe me lartë në forma thjerëzash të gjatë si dhe forma të ndryshme. Me Skënderin bëmë një abstraktim. Jugosllavët e dinin mirë që kishte krom në këtë rajon që ishte lehtësisht i shfrytëzueshëm dhe me shkallë pastërtie të leverdisshme për të fituar shumë. Përvojë kishim në Devë ku ishte ngritur një fabrikë përpunimi. Prandaj ata duhet të kishin vendosur shfrytëzimin e kromit edhe brenda në territorin shqiptar . Bënin llogari që në radhë të parë nuk do të zbuloheshin. Variantin tjetër po të kapeshin do të pranonin gabimin dhe do të ofronin një vlerë monetare , ndërkohë që kromi i nxjerrë ishte hedhur në treg dhe kishte realizuar fitimin. Po shkonim kështu drejt një dyshimi serioz, e duhej vënë në informim udhëheqja e shtetit për veprime të mëtejshme, nga Xhule Çiraku, Kadri Hazbiu Mehmet Shehu…

Më konkretisht?

-Pas një pune shumë të madhe kërkimore studimore erdhi një moment shumë i rëndësishëm për punën tonë. Kishim arritur në përfundimin se jugosllavët kishin hyrë brenda territorit tonë me siguri rreth 60%. Por për momentin duhesh avancuar me të dhëna e matje të tjera, që nuk vareshin nga ne, që t’i detyronim ata të pranonin shkeljen e kufirit. Me iniciativën dhe insistimin tim u realizua një takim me Ministrin e P. B Kadri Azbiun më 19.1.1972 ora 11.00 . Ai e kishte zakon që në çdo kohë që kërkoje për ta takuar të pranonte dhe nuk pyeste a ke biseduar me shefat e t’u etj…? Ne ishim përgatitur për të raportuar se çfarë kishim bërë po dhe çfarë do të kërkonim. Morëm me vete harta, fotografi, llogaritë dhe një maket të minierës. Skënderi –na përforcon se jugosllavët kanë hyrë brenda territorit tonë rreth 60%. Kemi përcaktuar vendin e plasjes të minave në një largësi rreth 100m larg kufirit shtetëror. Kemi bërë llogaritje të ngarkimit të mineralit në vagon (kohën) shpejtësinë e lëvizjes së tij dhe na del se gjatësia e rrugës e kalon kufirin shtetëror. Kjo minierë paraqet një objekt të kromit me një vlerë ekonomike mjaft të rëndësishme gjë që i ka shtyrë jugosllavët të hyjnë në territorin tonë me mendimin që po u kapën të kërkojnë të falur dhe duke pranuar të paguajnë një vlerë të tillë. Na dëgjoi me vëmendje. Unë nga praktika e punës në kufi propozova që t’i thërrasim në postën e Qafë Prushit dhe t’u themi se me punimet minerale në afërsi të kufirit shtetëror keni hyrë brenda territorit tonë dhe duhet verifikuar. Skënderi shtoi: – Ju lutem ndërhyni që të shkojë në kufi aparatura sizmike si dhe të fillojnë punimet (hapje galerie) Drejtpërdrejtë ai tha : “Po thërras në takim Koço Theollosin dhe Nesti Nasen për të vendosur për këtë problem. Juve prisni tek sekretaria. Mbas një ore mbërriti K. Theollosi, Z. Hamiti dhe S. Komca nga M. P. J. U raportua edhe një herë problemi. Foli, zoti Hamiti :– Nuk na kushton asnjë gjë të çojmë aparaturën në Qafë-Prush dhe të hapim një galeri. Shpenzimet mbulohen nga fronte të tjerë. Rastësisht isha ulur në krah të zv/ ministrit Z. Hamiti. Kur e dëgjova hodha sytë nga Skënderi. Një muaj më parë na kishte thënë se nuk i mbulonte dot shpenzimet. U ra dakord që të thirreshin jugosllavët dhe të ngrihej problemi, të shkonte aparati sizmik në kufi dhe të fillonte hapja e galerive. Kur dolëm nga mbledhja Skënderi dhe unë ishim shumë të gëzuar, gati fluturuam nga shkallët. Problemi hyri në rrugën e zgjidhjes. Ishim optimistë, përsërisnim njëri-tjetri do të fitojmë. Letra jonë iu dërgua jugosllavëve, më 12.IX.1972 me postën e Qafë Prushit. Më datën 3.XI. 1972, Kryetari i Komisionit të Incidenteve Skënder Alikaj, inxhinieri gjeolog Skënder Dede dhe unë, po në Qafë Prush morëm letrën e jugosllavëve., që pranonin të kishin hyrë në territorin tonë. Ky ishte gëzim shumë i madh. I detyruam jugosllavët të dorëzoheshin. U përqafuam me Skënderin, u munduam shumë, por fituam më në fund. Mbledhjet e komisionit u zhvilluan në doganën e tyre: një ndërtesë komode, me kushte pune shumë të mira, që ishte edhe në afërsi të minierës. Fillimisht kërkuam që të na paraqesin gjithë dokumentacionin e tyre dhe mbi të të punonim bashkë. Matjet e para u kryen bashkërisht dhe u përpilua plani në shkallë 1: 500, ku u fiksuan me saktësi vija e kufirit shtetëror, piramidat ndërmjetëse dhe hyrja e minierës. Matjet në terren u kryen në një kohë shumë të keqe: dëborë ,shi, e sidomos në një erë të fortë dhe shumë të ftohtë, ndërsa relievi ishte relativisht i vështirë. Filloi faza e dytë e matjeve topo-gjeozedike, ajo e galerive të hapura. Kërkuam të na jepeshin këto matje + plani. Ata përsëri refuzuan. Ata shpresonin që ne si specialistë të mos arrinim dot të matnim dhe përcaktonim me saktësi minierën brenda territorit tonë (gjerësi, gjatësi, thellësi,) të mos përcaktonim sasinë e galerive, gjatësinë e tyre, katet e shfrytëzimit. Në këto matje punonim Myfiti dhe unë. Ndërsa nga ana e tyre vetëm asistonin ose na shoqëronin në matje Burhan Kavaja dhe markshender Mehmet Klapia, që ishte shkaktari kryesor që kishte gatuar në llogaritë për futjen brenda kufirit shqiptar. Punimet maket u kryen në kushte të mira, me ndriçim elektrik, me llamba, pajisje për punime në miniera. Brenda në minierë është shumë ngrohtë. Ne kishim vendosur të matnim me saktësi deri në centimetër çdo galeri të drejtë apo me kthesa deri në fund të tyre.

Në çfarë rezultati arritët?

-Në përfundim të matjeve të galerive dolën këto rezultate:

Miniera shtrihej brenda territorit shqiptar me një gjatësi të vijës së kufirit 111 metra; me një largësi prej vijës së kufirit e në brendësi prej 125.25 metra, në horizontin 747.0 (kuotë) si dhe me një thellësi prej 88 metra (plan vertikal i hequr mbi vijën e kufirit), nga kuota 8150-727.0. U llogarit sipërfaqja e minierës sipër, që arriti me 13902 metra katrorë, ndërsa volumi në 125.25 x88x111=1223442 metra kub. Kur po përpilohej dokumenti mbi matjet dhe llogaritjet topo-gjeodezike që do t’i përcillej Komisionit të Përbashkët Shqiptaro-Jugosllav për Incidentet, papritur doli një problem shumë i rëndësishëm për të cilën nuk kishim të njëjtin mendim. ….

Kush ishin specialistët (kolonelë të UDB) që kishit përballë?

-B. Kavaja kishte lindur në Mitrovicë në vitin 1943 me origjinë të largët nga Kavaja. Ishte zv/ministër në qeverinë e Kosovës dhe me profesion inxhinier miniere. Ishte një specialist shumë i aftë, i talentuar, por dhe shumë inteligjent. Avokat i një çështje të padrejtë, por që e menaxhoi mjaft mirë. Shprehej se e njihte shumë mirë problemin (zotëronte dokumente të minierës dhe manovronte me lehtësi të madhe. Mbasi u mbyllën punimet topo-gjeodezike për minierën “Kralevica nr 2” (kështu u emërua pjesa e minierës të shfrytëzuar në anën tonë.), u kalua në llogaritjet e shfrytëzimit të kësaj miniere, u formua një grup i përbashkët pune. Nga ana jonë ishin inxhinierët S. Dede,dhe M. Jaupi, ndërsa nga ata inxhinierët B. Kavaja dhe R. Gruiç. Fillimisht u propozua që ne të dorëzonim gjithë dokumentacionin e studimit, shfrytëzimet dhe llogaritjet të pjesës së minierës brenda territorit tonë. Ato do t’i jepnim rast pas rasti. Skënderi dhe Myfiti u gjendën në pozita shumë të vështira në raport me specialistët jugosllavë. Ata kishin dokumentacionin e saktë dhe kishin planifikuar edhe sasinë e mineralit të shfrytëzuar, që do të pranonin të na i jepnin neve e në përputhje me këtë dhe dokumentet përkatëse që do të paraqitnin. Gjeologjia është shkencë e madhe e zhvilluar me shumë të njohura dhe të panjohura, me ligjësi dhe teori si dhe praktika të ndryshme shfrytëzimi. Shembull.: Jepnin planin dhe llogaritjet e një galerie horizonte të shfrytëzuar, por jepnin atë dokumentacion që vërtetonte sasinë e kromit që kishin vendosur të jepnin dhe jo të vërtetën dhe e argumentonin: që galeria e hapur ka takuar trupin e kromit vetëm njëherë dhe fjala vjen vetëm një pjesë (aq ishte), ose në rastin tjetër: trupi i mineralit të kromit ishte shumë i varfër. Paraqiteshin galeri të gjata, që sipas tyre nuk e kishin prekur (gjetur) kromin. Në mjaft raste Skënderi dhe Myfiti u kapnin dokumente, që u binin pa dashur nga duart dhe që vërtetonin mashtrimet që bënin. Shpërthenin diskutime të gjata herë-herë të ashpra. Përsëriteshin diskutimet teorike- shkencore e praktikave të secilës palë. Ndërpriteshin punimet për disa orë e nganjëherë për ditë të tëra. Mbledhjet ishin të tensionuara. Skënderi dhe Myfiti kërkonin materialet e shfrytëzimit, kërkonin të drejtën, ndërsa ata megjithëse ishin fajtorë e ngrinin zërin aq shumë dhe flisnin me aq pasion, saqë për ata që nuk ishin në brendësi të problemit dukej sikur jugosllavëve po i bihej në qafë, po i hahej e drejta. Ata bënin luftë nervash dhe me synimin që ne të tërhiqeshim nga kërkesat tona, të bënim lëshime nga matjet e ndryshme, që cenonin të drejtën, interesat tona. Skënderi dhe Myfiti ishin specialistë, të përgatitur, me nivel të lartë shkencor, me njohuri teorike në të gjitha drejtimet, por dhe me një praktikë të gjatë pune. Ata luftonin me vendosmëri dhe pa u lëkundur për të mbrojtur interesat tona.I dëgjoja me vëmendje. Isha i gëzuar që gjeologët (specialistë) tanë ishin të zot, të zgjuar, të shkathët, të përgatitur dhe u përballën me sukses me gjeologët jugosllavë. Dëshmuan se gjeodezia shqiptare ishte shumë e zhvilluar duke arritur nivele të larta, e aftë për t’u përballur me sukses për zgjidhjen e çdo problemi. Komisioni në nivel ekspertësh për shfrytëzimin e minierës “Kralevica nr 2” i mbylli diskutimet dhe u hartua një protokoll i përbashkët, por me mendime të kundërta për Komisionin Qendror të Përbashkët Shqiptaro-Jugosllav të Incidenteve. Për ne minerali i kromit i shfrytëzuar nga ata në anën tonë u vlerësua në 34450 ton me çmimin e kohës 31.58 toni arriti vlerën e 1910450 S/. Kësaj shume i shtoheshin dhe shpenzimet e kryera për zbulimin e punimeve nga ana jonë prej 180000 S/. Për ata 64050 ton me vlerë 334.896 $…