Ndërtuan Unazën e Madhe 450 mln €, por harruan mbikalimet e këmbësorëve (ARRSH hap tender të ri 320 mijë €)
Ndërtimi i rrugëve dhe veprave publike në Shqipëri ka qenë një gangrenë e madhe, me një dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit, teksa i njëjti autoritet shtetëror ka bërë disa tendera për të njëjtën “punë”. Rasti më konkret vjen nga Unaza e Madhe e Tiranës, një vepër që kushtoi plot 450 milionë euro, në të gjithë gjatësinë e saj, e ndërtuar për disa vite, me tendera projektimi, ndërtimi, mbikëqyrje, shtesa kontrate e disa procedura të tjera plotësuese.
Gjithkush nga ne është dëshmitar se, kur bëhet një rrugë në këtë vendin tonë të vogël, pas disa muajsh shembet, ose nëse nuk shembet, hapen kanale për ujërat e zeza, më vonë kanale për ujin e pijshëm, më pas bëjnë tendera për sinjalistikë etj, etj. Një gjë e tillë ka ndodhur me Unazën e Madhe, pasi përveç tenderave të mëdhenj të ndarë në disa lote, u bënë shtesa, por edhe procedura plotësuese, por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar.
Jane siguruar një tjetër dokument të hapur sërish nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili do të shpenzojë të tjera para’ për këtë Unazë, kësaj herë për një detaj të vogël; mbikalimet e këmbësorëve! Si mund të mos projektosh, ndërtosh mbikalimet e këmbësorëve në një aks të tillë? Ose kalimet e tanishme janë jo funksionale dhe në rrezik të vazhdueshëm për jetën e tyre, ose këta inxhinierët e famshëm të ARRSH-së, të cilët arrestohen çdo muaj për shkelje të rënda, janë të paaftë.
Sipas dokumenteve që jane hulumtuar , drejtori i ri Ami Kozeli po bën disa “korrigjime” të projekteve të paraardhësve të tij në atë detyrë, Gentian Gjylit dhe Evis Berberit, të dy nën akuzë zyrtare nga SPAK-u. Kozeli ka firmosur tenderin e radhës për Unazën e Madhe me objekt “ndërtim mbikalim këmbësoresh ne Unazën lindore Tirane”. Mësohet se vendi ku do të ndërtohet ky mbikalim është në Kinostudio, një nyje që lidh qytetin e Tiranës me zonën e Freskut.
Në të njëjta dokumente, ARRSH shkruan se fondi limit i procedurës për ndërtimin e këtij mbikalimi është 31,666,670 lekë, teksa bëhet fjalë për punime rrugore. Por, në atë vend, sipas fotove që jane siguruar, është ndërtuar një mbikalim. Ekspertët rrugorë janë shprehur se mbikalimi nuk zgjidh problematikën e këmbësorëve, duke qenë se në pjesën më të madhe të kohës, ka qarkullim të banorëve.

Ajo nyje lidh Kinostudion me zonën e Freskut, teksa në pjesën më të madhe të kohës, ose në orët e pikut, rrethrrotullimi bllokohet. Banorët detyrohen që të kalojnë mes për mes makinave, pasi inxhinierët e famshëm të ARRSH-së nuk e kanë pasur në plan për t’u bërë një mbikalim të tillë. Tashmë, sërish me paratë e tyre, të keqpërdoruara në të kaluarën, Autoriteti do të hapë tenderin e ri. Një shtesë, mbi shtesën e shtesës për ndërtimin e Unazës së Madhe.
Disa javë më parë, Vox News publikoi të tjera dokumente, për një tender që kishte hapur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit në Bashkinë e Tiranës për Unazën e Madhe. Kjo drejtori e pushtetit lokal ka hapur procedurën “materiale për mirëmbajtjen e sinjalistikës Unaza e Madhe”.
Fondi limit i procedurës është 60.088.333 lekë pa TVSH, ose 623 mijë euro. Një shumë e konsiderueshme, duke qenë se Unaza e Madhe duhet të ishte mirëmbajtur nga vetë ARRSH-ja, nga firmat që e ndërtuan apo nga gjithçka tjetër. Si në shumë projekte në mbarë Shqipërinë, edhe Unaza e Madhe, e cila aktualisht e ka një dosje të hapur në SPAK, po vijon të “hajë” para’.

