Aktualitet

Një lexim semiotik i ‘ironisë’ ndaj Iso – polifonisë tek filmi ‘Odiseja’ , Prof. Vasil Tole, ndërmjetës kulturor mbarëkombëtar.

Nga Qamil Gjyrezi

Një status ironik në rrjetin social F.B., edhe kur paraqitet si humor, nuk është vetëm një shprehje individuale; ai është një shenjë e një mënyre komunikimi dhe e një qëndrimi ndaj kulturës. Në këndvështrimin semiotik, ironia nuk është thjesht ajo që thuhet, por edhe ajo që nënkuptohet. Ajo krijon një kod ku një traditë kulturore mund të vendoset përballë një tjetre, duke prodhuar pyetje mbi përfaqësimin, kujtesën dhe identitetin. Përballë një ironie ‘Fejsbukiste’ të tillë, reagimi më i dobishëm nuk është as nënvlerësimi, as përplasja emocionale, por dekodimi i saj përmes fakteve. Sepse kulturat nuk maten me përjashtime dhe kundërvënie, por me kontributin që kanë dhënë në pasurinë e përbashkët. Faktet tregojnë se folklori shqiptar nuk është pronë e një krahine të vetme. Në veri qëndrojnë pasuri të jashtëzakonshme si epika legjendare, lahuta, këngët kreshnike, cikli i Mujit dhe Halilit, rapsodia malësore, kënga qytetare shkodrane dhe kabaja. Në jug, polifonia iso-polifonike, kënga labe dhe traditat toske përfaqësojnë forma të tjera madhore të trashëgimisë sonë shpirtërore. Të dyja janë sisteme të ndryshme shenjash, por që i përkasin të njëjtës kujtesë kulturore shqiptare. Në këtë kuptim, debati nuk duhet të jetë “veri kundër jugut”, por një pyetje më e thellë: si përfaqësohet dhe si promovohet trashëgimia jonë? Një kulturë nuk fiton duke ‘heshtur’ tjetrën; ajo bëhet më e plotë kur të gjitha zërat e saj dëgjohen. Prandaj, ndaj një modeli komunikimi që ndërton kundërvënie përmes ironisë, përgjigjja më e fuqishme është argumenti. Sepse folklori nuk është një garë mes krahinave. Folklori është një arkiv i gjallë i kujtesës sonë kombëtare. Çdo zë i humbur apo i lënë në hije varfëron ‘tërësinë’, ndërsa çdo zë i dëgjuar e pasuron atë. Muzikologu dhe kompozitori Vasil S. Tole shkruan në statusin e tij në FB, për filmin Odiseja: ‘Tani që premiera e filmit madhështor ODISEJA u krye, kam një falenderim për të bërë për kompozitorin e muzikës së këtij filmi z. LUDWIG GORANSON, i cili më bëri pjesë të grupit të ekspertëve të muzikës në këtë film. Qasja e regjisorit Nolan dhe talenti i pacak i z Goransson (fitues i çmimit OSKAR për muzikën e filmit OPENHAJMER), bëri që vëmendja e tyre natyrshëm të kthehej edhe nga traditat muzikore mijravjeçare të popullit tonë, të Labërisë dhe të Toskërisë, vokale dhe instrumentale. Padyshim, përfshirja e tyre në muzikën e filmit (muzika e interpretuar nga fyejt e Gramshit, grupi i Djemve të Delvinës dhe fyelltari Vendim Kapaj-Vlorë), janë një konfirmim botëror i vlerave të jashtëzakonshme artistike muzikore të popullit tonë. Përgëzime mjeshtrit Goransson dhe ustallarëve tanë të traditës për këtë arritje Homerike’! Kompozitori Vasil S. Tole ishte pjesë e grupit të ekspertëve të filmit Odiseja. Tingujt e muzikës shqiptare janë pjesë e filmit ‘Odisea’. Pjesmarrja në këta aktivitete, të këtij niveli është konfirmim botëror i vlerave të jashtëzakonshme artistike të popullit tonë. Vlerat artistike të popullit tonë promovohen vetëm nga studjuesit serioz, akademikë me vlera dhe artistë ‘mendjehapur’, me talent muzikor e kulturor si Profesor Tole.

Muzika tradicionale shqiptare tek filmi, shenjë kulturore nga konteksti lokal në atë universal.

Ka shumë studjues të gjuhës, letësisë dhe kulturës shqiptare në Shkodër e qytete të tjera, që pavetëdijshëm mbrojnë, përjetojnë estetikisht, kuptojnë ‘shenjën kulturore’ në kontekstin lokal. Nëse do ta përceptonim dhe kuptonim botën me këtë këndvështrim, ‘bota’ do të vinte tek ‘lagja’ ose ‘katundi’ jonë. Megjithatë këndvështrimi dhe kuptimi i së ‘tërës’ paradigmës është personal , por do të këshilloja të lexonin studjuesin e semiotikës Juri Lotman.

1. Arritja “homerike”, urë simbolike ndërmjet trashëgimisë së lashtë mesdhetare dhe kulturës shqiptare.

Përfshirja e elementeve të muzikës tradicionale shqiptare në një film me përmasa ndërkombëtare si Odiseja mund të lexohet semiotikisht si kalimi i një shenje kulturore nga konteksti lokal në atë universal. Iso-polifonia, fyejt dhe interpretimet tradicionale nuk funksionojnë vetëm si tinguj, por si shenja të identitetit, kujtesës historike dhe vazhdimësisë kulturore. Lidhja me universin homerik krijon një urë simbolike midis trashëgimisë së lashtë mesdhetare dhe kulturës shqiptare, duke i dhënë traditës sonë një dukshmëri të re në skenën botërore.

2. Roli i Prof. Vaso Toles, interpretues i kodeve të traditës shqiptare

Prof. Vaso Tole, si pjesë e grupit të ekspertëve, mund të shihet semiotikisht si një ndërmjetës kulturor. Roli i tij nuk është vetëm ai i një muzikologu apo kompozitori, por i një interpretuesi të kodeve të traditës shqiptare për një produksion ndërkombëtar. Nëse ekspertiza e tij ka ndihmuar në përzgjedhjen ose interpretimin e elementeve të traditës, atëherë ai ka kontribuar që këto shenja muzikore të ruajnë autenticitetin dhe kuptimin e tyre kulturor në një kontekst artistik global.

3. Për muzikën e Shkodrës dhe folklorin e veriut, duhet një grup studimor me studjues me nivel akademik.

Për mendimin tim, tradita muzikore e Shkodrës, ahengu, folklori i veriut po studjohen dhe promovohen pak ose përciptas. Duke vlerësuar kontributet e deritanishme, mendoj se ka ardhur momenti që kjo fushë të marri një rëndësi të veçantë dhe të përfshihen akademikë dhe studjues të rinj me formim intelektual dhe muzikor. Krijimi i një grupi studimor pranë institucioneve vendore mund të jetë një ide me vlerë. Një grup i tillë do të mund të merrej me dokumentimin, arkivimin, kërkimin shkencor dhe promovimin e trashëgimisë muzikore të qarkut. Mendoj se Prof. Vaso Tole, me studjues dhe muzikantë shkodranë do të ishte drejtuesi i duhur për një nismë të tillë, kjo është një çështje që varet nga vendimmarrja institucionale, gatishmëria e tij për ta marrë këtë rol dhe objektivat e projektit. Duke qenë një studiues i njohur i muzikës tradicionale shqiptare, ai është padyshim një nga figurat akademike që mund të japë një kontribut të rëndësishëm në projekte të kësaj natyre.
Regjizori Christopher Nolan dhe kompozitori fitues i çmimit Oscar Ludwig Göransson e sollën muzikën popullore shqiptare në skenën kinematografike globale në filmin epik “Odisea”. Duke kërkuar tinguj autentikë dhe elementarë për një atmosferë të Epokës së Bronzit, Göransson udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar muzikantë vendas. Si përfundim muzika tradicionale shqiptare shërben si një tregues i thellë kulturor. Duke lidhur traditat gojore të lashta dhe të lokalizuara me median moderne globale, ajo e transformon identitetin rajonal në një përvojë njerëzore universalisht rezonante.