Nuk u ekstradua, por u deportua nga SHBA, si u kthye në Shqipëri Sokol Hoxha pas 30 viteve arrati. Pse Tirana po i kërkon ndihmë Brukselit
Agjencia policore federale ICE shoqëroi si një emigrant të paligjshëm që kishte kryer krim në atdhe Sokol Hoxhën, i dënuar në mungesë në Shqipëri për vrasjen e dy vëllezërve Hektor dhe Ilirian Banaj.
Ai u deportua në prani të marshallëve amerikanë dhe oficerëve shqiptarë për krimin e dyfishtë të kryer gjatë vitit 1997 për një kasetofon.
51-vjeçari nga Patosi është i dënuar me 25 vite burgim dhe, për arrestimin e tij në Ohajo, ishin angazhuar disa skuadra policore ndërkombëtare dhe shqiptare, me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale në Ambasadën Amerikane në Tiranë.
Një burim i sigurt pranë Prokurorisë i tha Top Channel se, për shkak të fshehjes nga drejtësia për një kohë të gjatë dhe një lufte juridike përmes së cilës autoritetet kishin refuzuar ekstradimin e tij, për këtë arsye Hoxha u soll në Shqipëri përmes ICE si i deportuar.
Pas vrasjes së kryer në bashkëpunim, Hoxha kreu një krim tjetër në Belgjikë, duke vrarë Brunilda Hoxhën, për të cilën u dënua me burgim të përjetshëm në Bruksel.
Kur kërkohej nga dy shtete, Sokol Hoxha rezulton se u arratis drejt Britanisë së Madhe, ku, nën identitetin e Hysen Gashit, siguroi pasaportën angleze. Në vitin 2012, i kërkuari u zhvendos në Amerikë, ku nisi një jetë të re.
Me kthimin e 51-vjeçarit, beteja që do të zhvillohet në Shqipëri lidhet me kërkesat që pritet të paraqesë ai për parashkrim, që do të thotë lirim, meqenëse kanë kaluar më shumë vite në arrati sesa dënimi i shpallur.
Për këtë arsye, Prokuroria shqiptare ka nisur komunikimin me Brukselin, i cili nuk e ka kërkuar ende Hoxhën që t’i dorëzohet për të shlyer atje dënimin me burgim të përjetshëm.
Pretendimi i Shqipërisë, derisa kjo çështje të zgjidhet, do të jetë mundësia që ky shtetas ta vuajë këtë dënim për vrasjen e 19-vjeçares në Shqipëri./TCH


