Opinion

PËRTEJ MASKËS POLITIKE, VEPRAT E MIRA JANË ATO QË E DALLOJNË NJERIUN NGA ANTINJERIU…

Nga ILIR ÇUMANI

Në jetën e përditshme ka çaste kur një veprim i vetëm peshon më shumë se qindra fjalime, mijëra qëndrime, premtime apo konferenca pa fund për shtyp. Ka gjeste që nuk kanë nevojë për duartrokitje, sepse flasin me gjuhën e ndërgjegjes.

Përvoja historike na ka mësuar se karakteri i një njeriu nuk matet nga pushteti që zotëron, por nga mënyra se si zgjedh ta përdorë atë në shërbim të atyre që kanë më pak.

Prej vitesh, (që nga viti 2018), deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Shehaj, ia ka dedikuar pagën e tij gjashtë vajzave jetime nga Kukësi. Nëse ky angazhim është mbajtur në mënyrë të vazhdueshme, ai nuk përfaqëson thjesht një akt bamirësie, por një mesazh të fortë moral, që dëshmon se politika mund të mos jetë vetëm administrim pushteti, por edhe përgjegjësi njerëzore.

Vlera e një shoqërie nuk matet nga luksi dhe lartësia e kullave që ndërton, por nga mënyra se si përkulet për të ngritur ata që jeta i ka rrëzuar.

Jetimët nuk kanë zë të fortë në politikë, s’kanë lob, nuk kanë pushtet dhe nuk sjellin vota. Ata kanë vetëm të drejtën për të jetuar me dinjitet. Pikërisht mënyra se si një shtet dhe një shoqëri i trajton ata zbulon fytyrën e tyre morale.

Nga pikëpamja psikologjike, empatia nuk është dobësi, por forma më e lartë e pjekurisë njerëzore. Vetëm ai që arrin ta ndiejë dhimbjen e tjetrit si të ishte e vetja është në gjendje të ndërtojë besim.

Në një klimë politike të mbushur me akuza, urrejtje, përçarje dhe mosbesim, një gjest i tillë krijon një kontrast që rikthen shpresën se politika mund të ketë ende një dimension njerëzor.

Nga këndvështrimi social, problemi nuk janë vetëm jetimët, por ndërgjegjja jonë kolektive. Një shtet që e konsumon energjinë në konflikte të pafundme politike, ndërsa më të pambrojturit mbeten në periferi të vëmendjes, rrezikon të humbasë misionin e tij themelor.

Kur qytetarët humbin besimin se institucionet kujdesen për ta, nuk dobësohet vetëm shteti, por edhe vetë lidhja morale që mban bashkë një shoqëri.

Shoqëritë nuk ndërtojnë kujtesën e tyre mbi ata që kanë pasur më shumë pushtet, por mbi ata që kanë lënë pas një shembull. Pushteti harrohet. Karakteri mbetet. Pasuria harrohet. Bujaria kujtohet. Fjalimet zbehen. Veprat jetojnë.

Politika, në fund të fundit, nuk është garë për privilegje, por provë karakteri. Mandati nuk është dekoratë personale, por një barrë morale që duhet mbajtur çdo ditë. Besimi i qytetarëve nuk fitohet me slogane, as me propagandë dhe as me retorikë. Ai fitohet me shembuj që i rezistojnë kohës.

Pikërisht për këtë arsye unë e vlerësoj deputetin Agron Shehaj. Jo sepse është i pagabueshëm, (gjithsesi, është njerëzore edhe të gabosh), jo sepse është përtej kritikës, por sepse shoh tek ai një model përgjegjësie personale dhe angazhimi publik që meriton të vlerësohet.

Demokracia ka nevojë për kritikë, por ka po aq nevojë edhe për drejtësi në gjykim: të dimë të kundërshtojmë kur ka arsye dhe të dimë të vlerësojmë kur ka meritë.

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për politikanë më të aftë, por ne radhë të parë ka nevojë për një kulturë tjetër politike, ku dinjiteti, përgjegjësia dhe ndershmëria të mos jenë përjashtime, por norma. Ka nevojë për njerëz që e kuptojnë se pushteti nuk është privilegj, por shërbim.

Padyshim, qytetarët nuk presin mrekulli, por së paku duan të shohin se edhe në politikë mund të ekzistojë ende një njeri që nuk e harron NJERIUN!

Tiranë, e ejnte – 30 Korrik, 2026