SHKODRA NUK E HARRON HISTORINË E SAJ
Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Hapja e një konsullate serbe në kryeqendrën historike të Veriut nuk është vetëm një çështje protokolli diplomatik. Ajo prek kujtesën historike, simbolikën kombëtare dhe të drejtën e qytetarëve për të kërkuar transparencë.

Ditët e fundit, Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar -(Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme ) në lidhje me lajmet se Serbia ka kërkuar të hapë një konsullatë në Shkodër, duke shtuar se nga ana e saj, Shqipëria ka kërkuar hapjen e një konsullate të përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bujanoc. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në lidhje me njoftimin e Ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes së një konsullate në Shqipëri thuhet: “Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse”, me justifikimin se, “Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare”.
Në marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me Serbinë, historikisht, e sidomos në rrethanat e sotëme, është e pamundur të flitet për “praktikë të konsoliduar diplomatike” dhe për “reciprocitet”. Një vendim i tillë nuk mund të vlerësohet e të justifikohet vetëm përmes procedurave administrative ose gjuhës së ftohtë diplomatike. Sepse ka raste kur historia, kujtesa dhe simbolika e një vendi janë po aq të rëndësishme sa vetë akti zyrtar. Mundësia e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër është një prej këtyre rasteve. Askush nuk e vë në diskutim të drejtën e shteteve sovrane për të vendosur marrëdhënie diplomatike dhe konsullore, të “konsoliduara dhe reciproke” siç i cilëson Ministria e Jashtme e Shqipërisë, qoftë edhe me një shtet si Serbia. Shqipëria dhe Serbia kanë detyrimin të zhvillojnë marrëdhënie normale fqinjësore dhe të kontribojnë për paqën e stabilitetin në Ballkan. Kjo është në interes të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit.
Prandaj, diplomacia, qoftë ajo e konsoliduar ose reciproke, nuk do duhej të zhvillohet në një hapësirë pa histori e pa kujtesë. Por të zhvillohet mbi kujtesën e popujve, mbi përvojat që kanë lënë gjurmë dhe plagë, por edhe mbi simbolet që formësojnë identitetin kombëtar të qyteti ose një kombi. Shqipëria do duhej të kishte hapur konsullaten e saj me kohë në Luginën e Preshevës, ku jetojnë rreth 60.000 shqiptarë.
Mund të jetë e çuditshme dhe e vështirë për tu kutpuar për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë se pse Shkodra nuk është një qytet i zakonshëm për një konsullatë serbe. Shkodra është një nga shtyllat mbi të cilat është ngritur vetëdija kombëtare shqiptare. Është qyteti i Rilindjes Kombëtare, i kulturës, i arsimit, i publicistikës dhe i shumë figurave që i dhanë Shqipërisë zë e dinjitet në momentet më të vështira të historisë së saj. Pikërisht për këtë arsye kjo çeshstje ka ngjallur debat dhe lind një pyetje e natyrshme, pse pikërisht Shkodra për një adresë diplomatike serbe? Nga këndvështrimi praktik, nuk duket të ketë arsye të dukshme që e bëjnë këtë qytet një domosdoshmëri konsullore serbe. Dihet se atje nuk ka një komunitet të konsiderueshëm serb, as një prani ekonomike apo tregtare që ta shpjegojë vetvetiu këtë zgjedhje. Kur mungojnë arsyet e qarta praktike, është e natyrshme që qytetarët t’i kushtojnë vëmendje simbolikës së këtij vendimi dhe të pyesin gjithnjë, pse pikërisht, Shkodra? Njerzit pyesin sepse mbi të gjitha, Shkodra është, historikisht, simbol i qëndresës shqiptare ndër shekuj. Rrethimi i saj në vitet 1912–1913 nuk ishte thjesht një betejë për një qytet por ishte një betejë për vet mbijetesën e Kombit dhe shtetit shqiptar. Sakrificat e mbrojtësve të saj dhe vendimet e mëvonshme të Fuqive të Mëdha bënë që Shkodra të mbetej pjesë e Shqipërisë. Kjo histori nuk është vetëm pjesë e së kaluarës, ajo është pjesë e kujtesës sonë historike kombëtare, që nuk duhet harruar aq lehtë, sidomos në marrëdhëniet me Serbinë. Kjo nuk do të thotë se historia duhet të shërbejë si pengesë për marrëdhënie të mira me fqinjët. Përkundrazi. Shqipëria ka interes jetik për paqe, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë, përfshir Serbinë. Por pajtimi nuk ndërtohet mbi harresën. Ai ndërtohet mbi njohjen e së vërtetës, mbi respektin reciprok dhe mbi ndjeshmërinë ndaj kujtesës historike të secilit popull.
Është domethënës fakti se rezervat ndaj kësaj nisme diplomatike nuk janë shprehur vetëm nga një krah politik në Shqipëri. Edhe figura të njohura të së majtës shqiptare socialiste në pushtet, si Pandeli Majko dhe Ditmir Bushati, kanë ngritur, publikisht, pikëpyetje dhe kanë kërkuar kujdes në trajtimin e çështjeve që lidhen me Serbinë dhe me interesin kombëtar shqiptar. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një debat që, me të drejtë, duhej të tejkalonte ndarjet partiake dhe të prek një dimension më të gjerë të vetëdijes kombëtare shqiptare. Shkodra e përjetoi, drejtpërdrejt, këtë politikë. Rrethimi i saj në vitet 1912–1913, bombardimet, përpjekjet për pushtim dhe presioni ndërkombëtar për ta shkëputur nga trungu shqiptar mbeten plagë të pashlyera në kujtesën historike të Shkodrës dhe të kombit shqiptar. Mijëra shqiptarë dhanë jetën që flamuri shqiptar të valëvitej mbi kalanë e Rozafës dhe jo flamuri i ushtrisë pushtuese. At Gjergj Fishta e ka denoncuar, vazhdimisht, politikën ekspansioniste serbe dhe ka paralajmëruar se Shqipëria nuk duhej të humbiste vigjilencën përballë pretendimeve të fqinjëve. Për Fishtën, mbrojtja e identitetit kombëtar nuk ishte një çështje urrejtjeje ndaj popujve të tjerë, por një detyrim moral ndaj historisë dhe brezave që kishin sakrifikuar për lirinë. Ky mesazh i Fishtës mbetet po aq aktual edhe sot. Prandaj, pyetjet që shtrohen për këtë çështje nuk burojnë nga refuzimi i diplomacisë dhe as nga armiqësia ndaj një populli tjetër, por ato duhet të burojnë nga përgjegjësia ndaj historisë dhe nga e drejta e qytetarëve të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, për të kërkuar, që vendime të tilla me aq ngarkesë të madhe simbolike – siç është hapja e një konsullate serbe në Shkodër — të shoqërohen me transparencë dhe me një shpjegim të plotë nga institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar dhe jo të reagohet pas një deklarate të Beogradit zyrtar.

Në këtë kuadër, institucionet shqiptare kanë detyrimin t’i bëjnë publike arsyet që kanë çuar në këtë vendim, kriteret mbi të cilat është përzgjedhur Shkodra dhe interesat konkrete shtetërore që synohen të përmbushen. Po aq e rëndësishme është që kjo çështje të diskutohet hapur në opinionin publik, me pjesëmarrjen e historianëve, diplomatëve, studiuesve dhe qytetarëve. Një debat i tillë nuk dobëson shtetin. Përkundrazi, e forcon atë. Një demokraci e vërtetë nuk ka frikë nga pyetjet, ajo forcohet prej tyre. Ndërkohë që, historia nuk është një barrë që duhet hedhur pas shpine. Ajo është një mësuese që ndihmon të mos përsëriten më gabimet e së kaluarës dhe të ndërtohen marrëdhënie më të drejta e më të qëndrueshme, vërtetë të konsoliduara dhe reciproke, sipas të drejtës ndërkombëtare. Shkodra nuk ka nevojë për amnezi historike. Shkodra nuk ka nevojë për një konsullatë serbe. Ajo ka nevojë për respekt. Respekt për historinë. Respekt për kujtesën. Respekt për sakrificat e atyre që e bënë këtë qytet një nga simbolet më të mëdha të identitetit kombëtar shqiptar.
Edhe njëherë: Shkodra nuk është thjesht një pikë në hartë. Ajo është një simbol i ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Çdo vendim që prek këtë simbol duhet të peshohet jo vetëm me arsyet diplomatike të ditës, por edhe me përgjegjësinë ndaj historisë së Kombit.
Frank Shkreli


