Opinion

Vangjush Saro: Qeveria dhe protestat, përballje pa finale

Në kulturën botërore, qysh nga mitet e para dhe Iliada e Homerit, përpara një dueli a përleshjeje, ushtrish a individësh, mbahet një fjalim; ose thjesht, thuhen disa fjalë. Kundërshtarët përpiqen të tregojnë epërsinë e tyre dhe ta impresionojnë rivalin; ndonjëherë edhe e fyejnë. Kështu, përpara se të ndeshen, Akili dhe Hektori shkëmbejnë fjalimet e tyre; i pari duke shfaqur dhuntitë dhe forcën, madje duke e fyer kundërshtarin, kur i thotë se nuk mund të matet luani me delen. Kurse tjetri, përgjigjet me sloganet e mbrojtjes së nderit dhe vatanit. Në letërsinë e shumë vendeve, “kultura” e fjalimeve para një dueli, është e rëndësishme. Kjo dukuri vjen aq bukur edhe te Eposi ynë, kur Gjergj Elez Alia dhe Bajlozi shkëmbejnë fjalë të ashpra, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, në karakter dhe në qëllime.

Tani po vij në “duelin” e radhës; dhe merret me mend që bëhet fjalë për një ndeshje të pazakontë, këtë herë brenda vetes apo mes vedi. Prej një muaji, mijëra protestues manifestojnë përpara ndërtesës së Kryeministrisë dhe, mandej, edhe në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke kërkuar dorëheqjen e shefit të Qeverisë dhe njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste. Në sloganet e tyre është po aq “protagonist” edhe Kryetari i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, madje edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj. (Dy të fundit, siç dihet, janë nën hetim e në paraburgim, por duke kërkuar orë e çast pafajësi dhe trajtim dinjitoz, çka nuk duket lëvizje false.)

Fjalët që më së shumti do të mund të tregonin brengën e demonstruesve, janë: korrupsioni dhe arroganca qeverisëse. Pikërisht ato u shfaqën fillimisht në këtë lëvizje, pas një ngjarjeje të shëmtuar në Zvërnec të Vlorës, ku një demonstrues u tërhoq zvarrë ndërkohë që ai dhe të tjerë ishin atje për të kundërshtuar një projekt turistik të shumëpërfolur, përndryshe një resort. Pas fjalëve korrupsion dhe arogancë, u shtuan, tash si ide, mbrojtja e natyrës, droja për mospërfilljen e qytetarëve, etj.

Dikur, fjalët dhe kundërshtimet u zhvendosën në Tiranë (dhe në disa rrethe) teksa filloi një lëvizje që dalëngadalë do të merrte ngjyra të tjera. Përballja u kanalizua në kërkesa politike, si dorëheqja e Kryeministrit dhe e Qeverisë aktuale, shpërndarja e Kuvendit, formimi i një qeverie të përkohshme kujdestare, etj. Sidoqoftë, “lufta” më e madhe, me slogane, me këngë, me fjalime, ishte dhe është ajo me Kryeministrin, z. Edi Rama. Kjo ndodhi për shkak të acarimit të palëve, që “fjalimet” përpara ndeshjes, duelit, i zgjatën ca si tepër. Situata më kujton vlerësimet që kam bërë më parë për z. Rama, sidomos për publicistikën e tij, ndërsa e shoh sot pothuaj të tjetërsuar. (“Në xhungël gjithkush vuan…” R. Kipling)

Meqë jam shprehur disa herë në lidhje me këtë protestë, më së pari në këtë gazetë të nderuar, këto radhë i kushtohen posaçërisht pozicioneve ekstremisht të larguara të palëve dhe gjuhës që ato po përdorin; prandaj edhe e hapa këtë shkrim me atë zakonin e vjetër të luftrave dhe luftëtarëve që shkëmbenin fillimisht disa fjalë përpara vringëllimës së shpatave apo zhurmës dhe erës së barotit. Por puna është se u shkëmbyen më shumë fjalë se ç’duhen. U teprua. Dhe nuk bëhet e qartë asnjëherë, mbase nuk duam ta dimë, nga filloi tërkuzja dhe rrugaçërizimi i fjalimeve (kupto edhe sloganet, parrullat) duke e transferuar luftën edhe në rrjete. Por vendi po përjeton keq. Ditët e fundit, aktet e “forta” janë shtuar nga të dyja palët, te Universiteti dhe… në Polici. Oops!

Çudi se si palët shkuan kaq larg sa i takon poshtërimit të njëri-tjetrit dhe termave që përdoren: Burg, legen, hajdut, korba, fuck you, etj. Unë do të doja t’u lutesha atyre të përmbahen, sepse siç thuhet “fjala sjell fjalën”; por e shoh që kjo përballje po humbet kuptimin dita-ditës; nuk besoj se ka fund të mirë. Kryeministri mbeti duke u grindur në rrjete, teksa rëmon pa reshtur për ndonjë “të padenjë” mes protestuesve, që pastaj përpiqet ta paraqesë si fundin e përballjes. Ai na kujton se mbrojtja më e mirë është sulmi, ku gjen forca të hedhë dritë në mrekullira që shumë të tjerë nuk i shohin. (“Unë kurrë s’do të pushoj së përgëzuari veten time,” thotë një personazh i Ç. Dikens te “Dombi dhe biri”) Miqtë e tij flasin gjithë kompetencë për… epokën e gurit (!) Protesta nga ana e vet shikon ëndrra në diell, me kuvende dhe me qeveri kujdestare. Dhe ndërsa presim një zgjidhje sa më qytetare, shqiptare, në ekran e në panele shfaqet në emër të protestës ndonjë e re e mbuluar me shamia nga të gjitha anët, ashtu si nuk janë mbuluar më parë te ne as plakat (!)

Pa hequr dorë nga kritikat për qeverisjen aktuale dhe korrupsionin, jam megjithatë i dyzuar; tash më shumë se kurrë. Një miku im, në një moment nervozimi, më ka cilësuar si ekuilibrist. Kurse unë vetë, diku në një shkrim e quajta veten mikroborgjez. Nuk është e thënë të marrësh patjetër njërën anë. Pyetja është: Kishim gjë në dorë për ta vënë në shina mosbesimin, për të mos thënë urrejtjen? Kush mund ta mendonte se kjo lëvizje dhe përballja në fjalë, do të shkonin gjatë – nuk e dimë edhe sa – në këtë skenar pa finale! (“Ka një pafundësi shpresash në këtë univers… por ato nuk janë për ne.” F. Kafka)