Vangjush Saro : “Stonon” qeveria apo artistët e huaj?
Rast pas rasti, drejtuesit e Qeverisë dhe të partisë (në pushtet) përpiqen të hedhin ndonjë shashkë e të përcjellin bujë, sikur po ndodh çudia. Ata luajnë me fjalë të mëdha, si aeroport, port, euro, formula uno, paketa e maleve, etj. ndërkohë që shfrytëzojnë në një mënyrë të turpshme edhe kontaktet me artin dhe me artistët e huaj; gjithnjë për të treguar sa shumë po “lodhen” për Shqipërinë (!) Në krye të kësaj zhurme e rropatjeje të paprerë, është vetë Kryeministri, z. Edi Rama.
Mendoj, kemi të bëjmë me atë që quhet “Teoria e kompensimit”, pra njëlloj stërmundimi për të mbushur vakumin e mosarritjeve dhe të pamundësisë për t’u përballur ndryshe me publikun. Postime të vazhdueshme të qeveritarëve në rrjete – Kryeministri edhe këtu është “kampion” – duket sikur plotësojnë atë që në zyra nuk e bëjnë dot.
Tani… po flitet për një tjetër koncert (të anulluar kësaj here, ngaqë Xheniferi, Oops, e ngriti shumë stekën) por me siguri edhe kjo ngjarje do të merrte ngjyrime politike; me një fjalë, shikoni ç’bëjmë ne, artistë të mëdhenj po performojnë në Shqipëri, atje tek ai filmi për Odisenë gjithashtu… paskemi pak pjesëmarrje, ehë, një vëmendje e madhe, ngado e kurdoherë. Mendoj se kapja pas çdo sekuence apo episodi që mund të prodhojë demagogji – muzikë, film, NATO, etj. – “stonon”; sidomos duke pasur parasysh etjen dinake për bujë, por ca më shumë shpenzimet abuzive me taksat e qytetarëve. Këto episode politizohen, me gjasë po tregojmë sa shumë përparime kemi bërë, sa larg kemi shkuar në çdo fushë, sa “të hapur” e modernë janë drejtuesit e sotëm të vendit, të gjithë i kanë kthyer sytë nga ne, etj. (“Ai që këndon, i lehtëson hallet e tij.” M. Servantes)
Për t’u fokusuar kryesisht te arti, ai bëhet për njerëzit; dhe kur përmbushen edhe pasionet, edhe pritshmëritë, është mirë, është vërtet arritje. Por që ato, historitë me zhurma dhe me koncerte, të përdoren në këtë mënyrë siç bëhet te ne, sidomos në këto kohë, kjo s’është parë askund dhe asnjëherë; madje as edhe në Socializëm. Meqë e përmendëm, po kujtoj dy koncerte artistësh të huaj në ato kohë të vështira, por që ndonjëherë njerëzit (jo të gjithë) përpiqen t’i “vizatojnë” me ngjyrat më të errëta. Punë e tyre! E pra, ato koncerte nuk janë ngjyrosur politikisht, nuk janë paguar e, madje, nuk janë “shitur” si fitore të kohës a të Partisë, megjithë nevojën e madhe për interpretime që të kishin të bënin me “hapjen” e vendit.
I pari është një koncert i këngëtares greke Marinela, ndjesë pastë, aty nga fundi i viteve ‘70; koncert që kaloi me shumë probleme. Më i madhi u pa pikërisht në Tiranë. Në një moment gjatë shfaqjes, njerëz të Sigurimit të Shtetit, mbase edhe të tjerë përfaqësues lagjesh a ministrish, pedantë ose të paguar, filluan t’i detyronin spektatorët të ngriheshin e të iknin. Dhe shumë njerëz ikën vërtet, e braktisën sallën, shfaqja u prish; kurse Marinela, e dëshpëruar, nuk nginjej me raki. Çuditërisht, të nesërmen u fol se Hoxha (Enveri) kishte mbajtur qëndrim ndaj atyre që kishin bërë skandalin, duke shpjeguar madje ngjyrimet tradicionale të asaj muzike, gjer edhe kuptimin e mjekrës së dikujt, që këndonte si një detar. Këngëtari ishte “abandonuar” për mjekrën… Më tej – në Korçë, bie fjala – shfaqjet e Marinelës shkuan më mirë e më qetë. Dhe… pa “fonde të emergjencës”.
I dyti, në vitin 1989, ishte një koncerti i Albanos dhe Rominës, këngëtarë të njohur italianë. Një mbrëmje e jashtëzakonshme në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Numër i paparë spektatorësh, shumica të rinj, ndjekje notë pas note dhe varg pas vargu nga publiku, që në masë i njihte këngët italiane; një mrekulli. Por as ky koncert nuk u “shit” si fitore. Natyrisht, nuk u fol as për… fonde të emergjencave. Dhe nuk u dëgjuan të mburreshin a të përfshiheshin (në “sebep”) kryeministri i vendit apo funksionarë të tjerë të atij shteti, që realisht ishte duke rënë dhe mund ta kishte shfrytëzuar rastin për të bërë pak propagandë. Ndoshta s’u shkonte mendja në këto marifete (!)
E jo, sot, tani, në një shekull tjetër, në një rend tjetër, qasja sadopak e ndonjë gjëje shqiptare, por sidomos koncertet e të huajve “shiten” si arritje të mëdha të qeverisë, të Partisë, të Kryeministrit, i cili merret posaçërisht me gjithë procedurat, takimet, kundërshtimet, komentet, milionat (nxjerrë nga Fondi i Emergjencave, ndjesë se u teprua me termin,) e kështu më tej, gjithnjë duke i dhënë episodit mjeran një kuptim të lartë politik, gjeste që nuk i bën askush në botën e qytetëruar; askush. (“Po qeshej si palaçoja hëna…” S. Esenin)
Një pushtet që rropatet për bujë e për të plasur herë pas here shashka, mbase nuk i ka mirë punët. (“Unë vetëm zbulova shenjën, po heq dorë dhe s’dua të kuptoj…” (F. Kafka.)
…………………………………………………………………………………
Emrat e huaj janë shkruar sipas parimit të shqiptimit. Faleminderit për mirëkuptimin.

