Zbulohet mekanizmi si u vodhën lekët e postës Shijak e Krujë / Prokuroria: Ish drejtoresha mund të arratiset, shmangu TIMS
Skandali i zhdukjes së rreth 69 milionë lekëve (mbi 700 mijë euro) në filialin e Postës Shqiptare në Durrës u zbulua fillimisht nga auditi i brendshëm i Postës Shqiptare, i cili konstatoi mungesën e fondeve dhe mospërputhje mes dokumentacionit financiar dhe gjendjes reale të arkës. Pas këtij konstatimi u njoftuan organet e drejtësisë dhe Prokuroria e Durrësit nisi hetimet.
Dosja hetimore mbështetet në disa prova kryesore: gjetjet e auditit të Postës Shqiptare, pamjet e kamerave të sigurisë në filialin e Durrësit, dokumentacionin financiar të sekuestruar, si dhe dëshmitë e punonjësve të përfshirë.
Sipas Prokurorisë, filmimet e kamerave dokumentojnë në disa raste lëvizjen e vlerave monetare në kundërshtim me procedurat dhe rregulloren e brendshme të Postës Shqiptare. Në të njëjtat data janë administruar edhe mandatet e pagesave, të cilat dyshohet se janë përdorur për të justifikuar në dokumentacion transfertat e fondeve drejt degëve të Shijakut dhe Krujës, ndërsa për disa prej tyre hetuesit kanë ngritur dyshime se firmat e arkëtarëve janë të falsifikuara.
Hetimet vijuan për disa muaj dhe çuan në arrestimin e ish-drejtoreshës së filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa për punonjëse të tjera u caktuan masa të ndryshme sigurie. Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës kur procedimi penal ishte në zhvillim, Mataj u largua drejt Greqisë dhe më pas u rikthye në Shqipëri pa rezultuar e regjistruar në sistemin TIMS, një rrethanë që organi i akuzës e ka përfshirë në dosjen hetimore si pjesë të argumenteve të paraqitura para gjykatës.


Pjesë nga DOSJA
Çfarë zbuluan pamjet e kamerave të sigurisë
Prokuroria ka administruar pamje filmike nga 6 ditë të ndryshme, të cilat dokumentojnë episodet e lëvizjes së vlerave monetare brenda filialit të Postës Shqiptare në Durrës.
2 prill 2026
Pamjet e regjistruara gjatë intervalit 15:15–15:39, për rreth 24 minuta, tregojnë mbërritjen e një transporti me vlera monetare të shoqëruar nga një punonjës poste dhe një punonjës i kompanisë së sigurisë “Nazeri”.
Sipas filmimeve:
- në orën 15:29:12, shefja e financës Valbona Duni i bën me shenjë punonjësit të postës të marrë thesin me para;
- në 15:29:22, ajo merr thesin në ambientet e arkës, në prani të arkëtares Paola Dana;
- në 15:29:50, thesi dërgohet në zyrën e saj;
- vetëm 15 sekonda më vonë, në 15:30:05, Valbona Duni e çon thesin në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj;
- në 15:30:09, ajo hyn në zyrën e drejtoreshës dhe del pas pak sekondash;
- në 15:31:31, Mataj e thërret sërish Dunin dhe të dyja hyjnë në zyrë;
- në 15:33:04, del fillimisht Duni dhe largohet nga puna;
- në 15:39:08, nga zyra del edhe drejtoresha Elisabeta Mataj, duke mbajtur një qese të bardhë transparente, përmbajtja e së cilës nuk mund të identifikohet nga pamjet.
Për këtë datë, hetuesit kanë administruar edhe mandatin e pagesës nr. 2330, me vlerë 5 milionë lekë, me destinacion degën Shijak, i firmosur nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha. Firma e arkëtares Flora Nexha dyshohet të jetë e falsifikuar.
14 prill 2026
Pamjet filmike dokumentojnë se në orën 13:06:04Valbona Duni hyn në zyrën e saj duke mbajtur një thes me vlera monetare.
Në të njëjtën datë është administruar mandati nr. 2706, me vlerë 10 milionë lekë, për degën Krujë, ku edhe firma e arkëtares Valentina Guni dyshohet të jetë e falsifikuar.
15 prill 2026
Rreth një minutë filmim, nga ora 14:13–14:14, tregon Valbona Dunin duke marrë një thes me para nga arka, në prani të Paola Danës, dhe duke e transportuar menjëherë në zyrën e saj.
Për këtë datë rezulton mandati nr. 2748, me vlerë 10 milionë lekë, për degën Krujë.
20 prill 2026
Pamjet tregojnë ndihmës-arkëtaren duke i dorëzuar Valbona Dunit një qese plastike me rreth 10 fasha kartëmonedhash 5 mijë lekëshe, në prani të Paola Danës.
Në orën 13:39:26, Duni largohet me qesen drejt zyrës së saj.
Në të njëjtën datë rezulton mandati nr. 2866, me vlerë 5 milionë lekë, për degën Shijak.
24 prill 2026
Filmimet regjistrojnë mbërritjen e dy thasëve me para të sjellë nga kompania “Nazeri”.
Pak minuta më vonë, në orën 14:16:51, Valbona Duni merr njërin prej thasëve dhe e çon në zyrën e saj.
Për këtë datë rezulton mandati nr. 3002 (i korrigjuar me dorë në 2997), me vlerë 5 milionë lekë, për degën Shijak.
30 prill 2026
Pamjet e regjistruara rreth orës 15:09–15:10tregojnë ndihmës-arkëtaren duke mbushur një thes me para dhe duke ia dorëzuar Valbona Dunit, në prani të Paola Danës.
Në 15:10:03, Duni largohet me thesin drejt zyrës së saj.
Çfarë konkludon Prokuroria nga pamjet
Sipas organit të akuzës, në të gjitha episodet e dokumentuara kamerat tregojnë të njëjtën skemë veprimi: vlerat monetare, pasi nxirren nga arka ose mbërrijnë nga banka, merren nga shefja e financës Valbona Duni dhe transportohen në zyrën e saj ose në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj, në kundërshtim me procedurat e parashikuara për administrimin dhe transferimin e fondeve. Për secilën prej këtyre datave rezultojnë mandate pagesash që lidhen me transfertat drejt degëve të Shijakut dhe Krujës, ndërsa disa prej firmave të arkëtarëve janë nën dyshimin e falsifikimit.
Dëshmia e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj
Në dëshminë e saj, Elisabeta Mataj deklaron se, pasi mori drejtimin e filialit në fund të vitit 2025, konstatoi probleme në mënyrën e administrimit të financës dhe ndërmori disa masa për forcimin e kontrollit.
Ajo thotë se me urdhra të brendshëm vendosi që faturat të kontrolloheshin edhe nga specialisti i cilësisë dhe që çdo hyrje apo dalje e vlerave monetare të monitorohej nga specialisti i sigurisë. Sipas saj, këto masa u kundërshtuan nga shefja e financës Valbona Duni, e cila debatoi si me të ashtu edhe me shefin e sigurisë, duke pretenduar se kontrolli mbi financën ishte kompetencë e saj.
Mataj deklaron se, për shkak të dyshimeve mbi funksionimin e sektorit financiar, kërkoi kontroll nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare dhe informoi me e-mail grupin e auditimit se Valbona Duni transportonte para nga banka me automjet privat, pa eskortë dhe pa mjet të blinduar.
Pas auditit, ajo thotë se propozoi masa disiplinore për disa punonjëse dhe kërkoi lëvizjen e tyre, ndërsa për Dunin nuk e bëri një gjë të tillë për shkak të mungesës së një zëvendësuesi.
Sipas Matajt, në fillim të korrikut 2026, pas dorëheqjes së Valbona Dunit, asaj iu shtuan dyshimet për mënyrën e dorëzimit të financës dhe kërkoi nga drejtoria qendrore dërgimin e ekspertëve për marrjen në dorëzim të sektorit.
Ajo deklaron se vetëm më 9 korrik, gjatë kontrollit të ardhur nga Tirana, u njoftua për mungesën e rreth 69 milionë lekëve. Mataj mohon të ketë marrë ndonjëherë vlera monetare nga arka dhe pretendon se përgjegjësia për administrimin e tyre i përkiste sektorit të financës.
Dëshmia e shefes së financës Valbona Duni
Në deklarimet e saj para hetuesve, Valbona Duni pretendon se transferimi i fondeve nga Durrësi drejt degëve të Shijakut dhe Krujës ishte praktikë e zakonshme dhe se të gjitha lëvizjet janë kryer me dijeninë dhe urdhrat e drejtoreshës Elisabeta Mataj.
Ajo shpjegon se gjatë muajve prill-maj 2026 janë kryer mandate pagesash me vlera që arrijnë në dhjetëra milionë lekë dhe se fondet janë marrë nga drejtoresha për t’u transportuar drejt degëve.
Sipas Dunit, Mataj i kishte komunikuar se kompania e sigurisë “Nazeri” kishte tejkaluar limitin e transportit dhe për këtë arsye ishte vendosur që transporti të kryhej pa eskortë.
Në dëshminë e saj, Duni pretendon se drejtoresha merrte thesat me para nga arka, i çonte në zyrën e saj për t’i numëruar dhe, në disa raste, i vendoste në çantën personale përpara se të largohej nga institucioni.
Ajo deklaron gjithashtu se, në fillim të qershorit 2026, konstatoi në sistem mandate pagesash të regjistruara pa dijeninë e saj dhe se njoftoi menjëherë drejtoreshën. Për disa prej mandateve, Duni pretendon se firmat e saj dhe të arkëtareve nuk janë autentike, duke ngritur dyshime për falsifikim dokumentesh.

