Ekonomi

Zëvendësimi i heshtur me punonjës të huaj

Deri në fund të muajit qershor 2026 në Shqipëri ishin të punësuar 22,6 mijë shtetas të huaj, nga 18 mijë që ishin në 2025.  Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit filipinasit, indianët dhe egjiptianët kryesuan punësimet e reja, ndërsa bizneset po mbështeten gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore nga jashtë për shkak të emigracionit. Punonjësit e huaj zunë 3.1% të totalit të të punësuarve në vend. Ekspertët paralajmërojnë se kjo prirje do të forcohet

Prej disa muajsh, dy të rinj nga India, me profesion inxhinierë, janë të punësuar në kompaninë shqiptare “Ital Costruzioni”, prodhues i strukturave metalike tërësisht për tregun europian.

Të rinjtë thonë se arsyeja kryesore e punësimit në Shqipëri është paga e lartë deri në 50% më shumë sesa në Indi. Por gjithashtu punësimi në vend po iu jep atyre mundësi për përvojë në tregun europian.

“Në Shqipëri fitoj rreth 50% më shumë të ardhura mujore sesa në Indi dhe me pagën time arrij të mbështes familjen për të përmirësuar cilësinë e jetës”, pohon për “Monitor” 25-vjeçari Mayur Prajapati, një nga dy inxhinierët indianë i cili prej dy vitesh punon në këtë kompani.

Bashkë me të është edhe Irfan Ansari, 23 vjeç, i cili prej shtatë muajsh punon si inxhinier i sigurisë. “Prej 7 muajsh punoj në Shqipëri. Kam ardhur këtu për mundësi më të mira në karrierë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për t’u zhvilluar profesionalisht”, thotë ai, duke vlerësuar mjedisin e punës dhe mbështetjen që ofron kompania.

Dy të rinjtë pohojnë se përveç pagave më të larta 30 deri në 50% krahasuar me Indinë, kompania u siguron edhe akomodim, ushqim, transport dhe sigurim privat shëndetësor. Gjithashtu kanë mundësinë të marrim pjesë në aktivitete sociale të organizuara nga kompania.

Për Irfan Ansarin, Shqipëria ka qenë një mundësi për të ndërtuar një karrierë ndërkombëtare, ndërsa për Mayur Prajapatin, një vend ku mund të fitojë përvojë profesionale në një mjedis të sigurt dhe bashkëpunues.

“Përparësitë e punës në Shqipëri janë cilësia më e mirë e jetës, mjedisi i mirë i punës dhe një kompani shumë e mirë ku të punosh. Sfida kryesore është që duhet të vazhdojmë gjithmonë të përmirësojmë aftësitë dhe njohuritë tona për t’u zhvilluar profesionalisht”, pohon Mayurin, inxhinieri 25-vjeçar.

Në kompaninë “Ital Construzioni” janë të punësuar 54 punonjës të huaj nga India dhe Bangladeshi duke përbërë 45% të totalit të të punësuarve.

Për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, prej 5 vitesh vijon të investojë për punësimin e stafit të huaj. Kompania ka ngritur një skemë të konsoliduar, që krahas pagave, që për punonjësit e huaj  variojnë nga 600 deri në 1000 euro në muaj sipas pozicioneve, përfshin akomodimin, ushqimin në mensën e mjediseve të punës, kujdesin shëndetësor privat (në ambientet e fabrikës gjithashtu është i punësuar i përhershëm një mjek), transportin, sigurinë në punë dhe trajnimet profesionale.

Drejtuesja e kompanisë, Ornela Haxhiri, thotë se prej disa vitesh, ata janë përballur me sfidën për gjetjen e punonjësve, ndaj për këtë arsye është parë punësimi i të huajve si zgjidhje e qëndrueshme.

Zonja Haxhiri thekson se një nga arsyet kryesore të mungesës së fuqisë punëtore vendase mbetet emigracioni, veçanërisht i të rinjve me arsim profesional. Sipas saj, pavarësisht zhvillimeve teknologjike që po përdoren në prodhim, investimi për kualifikimin profesional të burimeve njerëzore përbën një nga avantazhet konkurrues.

“Për ne, punonjësit nuk janë thjesht burime njerëzore, por njerëz që duhet të ndihen të vlerësuar dhe pjesë e kompanisë. Pikërisht kjo qasje ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e tyre të qëndrojnë me ne prej vitesh.

Përvoja na ka mësuar se njerëzit nuk qëndrojnë vetëm për arsye ekonomike. Ata qëndrojnë aty ku ndihen të respektuar, të sigurt dhe pjesë e një kompanie që investon te zhvillimi i tyre.

Sot mund të themi se kjo skemë është shndërruar nga një nevojë e tregut në një avantazh konkurrues dhe në një investim të qëndrueshëm në kapitalin njerëzor, i cili mbetet aseti më i rëndësishëm i kompanisë”.

Industria po përballet ndërkohë edhe me rritjen e vazhdueshme të standardeve europiane në aspektin e cilësisë, sigurisë, gjurmueshmërisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare, znj. Haxhiri u rekomandon kompanive vendase të prodhimit, që krahas investimeve në teknologji,  të investojnë edhe për zhvillimin dhe aftësimin profesional të kapitalit njerëzor.

Numri i të huajve të punësuar në Shqipëri arrin gati 23 mijë shtetas

Deri në muajin qershor 2026 stoku i numrit të shtetasve të huaj të punësuar në vend arriti në 22,6 mijë individë nga 18,1 mijë që ishin deri në muajin dhjetor 2025, sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt dhënë për Monitor nga Policia e Shtetit.

Tendenca rritëse e të që punësohen në vend edhe në vitet e mëparshme ka qenë me rritje. Për 2025 numri i tyre u rrit me 43,4% kundrejt vitit 2024.

Për vitin 2026, rreth 90% e tyre apo 20,3 mijë shtetas janë të pajisur me leje unike nga punëmarrësit. Teksa 10% e tyre apo 2,361 shtetas të huaj janë të regjistruar në Shqipëri si të vetëpunësuar, kryesisht nga Kosova, Italia e Turqia.

Numrin e të punësuarve nga punëmarrësit e kryesojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Për të gjitha këto vende janë miratuar 10,258 leje unike për punëmarrës, duke përbërë rreth 50% të totalit të punësuarve në vend.

Sipas të dhënave numri i filipinasve të punësuar në vend deri në Qershor 2026 arriti në 3,552 shtetas të pajisur me leje pune, duke përbërë rreth 16% të totalit të të huajve të punësuar në vend.

Pas tyre janë shtetasit nga India me 3,423 të punësuar apo 15% të totalit. Shtetasit nga Egjipti arritën në 3,283 të punësuar. Pas tyre renditet Turqia me 1,503 leje unike për punëmarrës dhe Italia me 1,306 leje.

Më tej, ndër shtetet e tjera me numër më të lartë të punëmarrësve të huaj të pajisur me leje unike janë SHBA-të me 619 leje, Indonezia me 229 shtetas, Kina me 212 shtetas të pajisur me leje unike nga punëmarrësit etj.

Vitet e fundit shumë sipërmarrës, veçanërisht të sektorit të shërbimit në bare dhe restorante kanë pohuar për Monitor se kanë rritur ndjeshëm punësimin e shtetasve të huaj nga Filipinet dhe India.

Shumë të huaj nga këto shtete, janë të punësuar në bare dhe restorante në pozicione pune, si kamarier, pastrues apo kuzhinierë. Të tjera punësime janë bëra edhe në fabrikat e prodhimit, të cilët po punësojnë inxhinierë të rinj nga India.

Ndërsa shtetasit nga Egjipti më tepër po punësohen nga sektori i transportit, blegtorisë dhe në agroturizëm.

Po ashtu, së tepërmi punësimi i të huajve është zgjeruar edhe në familje. Shtetase nga Filipinet po punësohen si personel për kujdesin ndaj fëmijëve (dado), të moshuarve ose për mirëmbajtjen e shtëpisë.

Ndryshe nga lejet unike për punëmarrës, të cilat dominohen nga shtetasit e Filipineve, Indisë dhe Egjiptit, lejet unike për të vetëpunësuar kryesohen nga shtetasit italianë. Nga gjithsej 2,361 leje unike për të vetëpunësuar, 868 u përkasin shtetasve italianë ose rreth 37% e totalit.

Pas Italisë renditet Kosova me 283 leje, e ndjekur nga Turqia me 199, SHBA me 198, Ukraina me 92, Siria me 68, Gjermania me 67 dhe Polonia me 65 leje unike për të vetëpunësuar etj.

Punonjësit e huaj arrijnë në 3.1% të të punësuarve

Pavarësisht tendencës rritëse ndër vite të numrit të shtetasve të huaj të pajisur me leje pune, struktura e tregut të punës në vend vijon të dominohet nga punëtorët vendas, ndërsa pjesëmarrja e të huajve në tregun shqiptar të punës mbetet ende e ulët në raport me totalin e të punësuarve.

Në vitin 2025, punonjësit e huaj zunë një peshë prej 3.1% kundrejt totalit të të punësuarve në vend, nga 2.2% që ishte pesha e tyre e vitin 2024.

Në vitin 2018, në vend rezultuan 3,911 kërkesa të miratuara online për leje pune për shtetas të huaj, që përfaqësonin 0,7% të totalit të të punësuarve në vend. Kjo përqindje u ul më tej duke arritur në 0,6% në vitin 2020, si pasojë e ndikimeve nga pandemia e Covid-19 dhe kufizimeve ndërkombëtare të lëvizjes.

Nga viti 2021 e më tej, tendenca e kërkesave të miratuara për leje pune për shtetasit e huaj në vend ndryshoi ndjeshëm. Në vitin 2023, numri i tyre arriti në 8,305 leje pune. Krahasuar me 2022, numri i tyre u rrit me rreth 65%.

Pavarësisht rritjes së lejeve të miratuara për punësim, përqindja e tyre në totalin e të punësuarve vijoi të mbetet e ulët, përkatësisht për vitin 2021 zunë 0,9%, për vitin 2022 zunë 1,5% të totalit të të punësuarve dhe në 2023, pesha e tyre ishte 1,7%.

Për ekspertin e çështjeve të rekrutimit të stafeve Erald Pashaj, njëkohësisht dhe drejtor ekzekutiv i EPPC Albania & Kosovo, pesha e punonjësve të huaj, në raport me forcën e punës, mbetet e papërfillshme për tregun shqiptar të punës.

Zoti Pashaj argumenton se, nëse Shqipëria do të përshpejtojë rritjen ekonomike mbi nivelin 4%, gradualisht skema e punonjësve të huaj do të arrijë të shndërrohet në një investim të përhershëm për kompanitë shqiptare. Në të kundërt, rekrutimi i tyre do të mbetet një alternativë e përkohshme.

“Nëse Shqipëria do të vijojë të ketë rritje ekonomike mbi 4%, atëherë do të rritet edhe nevoja për fuqi punëtore të huaj. Në të kundërt, numri i tyre nuk pritet të shtohet. Vetëm një ekonomi në zgjerim mund ta kthejë këtë zgjidhje të përkohshme në një fenomen të qëndrueshëm, ashtu siç ka ndodhur edhe në vende të tjera të rajonit dhe Europës.

Kjo do të thotë se numri i punonjësve të huaj do të vijojë të rritet gradualisht, kryesisht nga vende me nivel më të ulët të ardhurash se Shqipëria, si Bangladeshi, Nepali dhe Filipinet.

Në të njëjtën kohë, bizneset shqiptare kanë gjithnjë e më pak mundësi për të gjetur fuqi punëtore vendase. Nëse ekonomia vazhdon të zhvillohet, do të ketë gjithnjë e më shumë të huaj që do të zgjedhin të jetojnë dhe të punojnë për periudha më të gjata në Shqipëri.

Edhe pse në disa raste, kostoja e rekrutimit të tyre është më e lartë sesa punësimi i një punonjësi vendas, edhe kostot e fuqisë punëtore shqiptare janë rritur ndjeshëm. Në këto kushte, punësimi i të huajve nuk është më një alternativë, por domosdoshmëri. Praktikisht, nuk ka një tjetër plan”.

Z. Pashaj rekomandon se në të ardhmen, Shqipëria do të duhet të aplikojë një regjim kuotash për punësimin e shtetasve të huaj, siç ndodh në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Aktualisht nuk ekziston një sistem i tillë në vend./ Marrë me shkurtime nga Monitor