Showbiz

Kosova që nuk na i tregon Dua Lipa

Natyra nuk luftohet dhe Prishtina nuk ka det. Megjithatë, mes vapës së korrikut dhe garës për të tërhequr turistë, qyteti ofron festivale, muzikë dhe fotografi perfekte për Instagram. Për fat të keq, shpesh mbetet vetëm kaq. Për disa ditë flitet për Dua Lipën, skenat, dritat dhe festën, e më pas duket sikur vera përfundon bashkë me festivalin.

Vetëm pak kilometra larg vendit ku zhvillohet festivali ndodhet qendra e Prishtinës: sheshi “Skënderbeu”, institucionet qeveritare, teatri, pedonalja. Por aty të pret një tjetër realitet. Pluhur, mbeturina dhe një qytet që duket i lënë pas dore. Njerëz që nxitojnë mes vapës duke hedhur shishe plastike, letra apo bishta cigaresh kudo. Kosha mbeturinash të tejmbushur, tym që përzihet me ajrin dhe e bën frymëmarrjen të rëndë.

Të krijohet përshtypja se shteti jo vetëm që ka muaj pa një qeveri funksionale, por sikur gjithçka ka mbetur në vendnumëro. Rrugë të papërfunduara, ndërtime të lëna përgjysmë, pirgje mbeturinash ku fluturojnë mizat, fasada të mbushura me grafite dhe mesazhe politike apo fyese, postera koncertesh të ngjitur kudo dhe rrethrrotullime të mbingarkuara nga trafiku.

Nëse dëshiron të kuptosh një qytet, mjafton të bisedosh me taksistët. Ata njohin rrugët, njerëzit, hallet dhe ritmin e jetës më mirë se kushdo. Kalojnë çdo ditë me orë të tëra në trafikun e Prishtinës dhe dëgjojnë historitë e qindra pasagjerëve. Dy udhëtimet e mia me taksi, në vajtje dhe në kthim nga festivali, më dhanë një panoramë që flet më shumë se çdo raport.

Taksisti i parë ishte mbështetës i Albin Kurtit. “Na mbron nga serbët dhe nuk lejon askënd të na marrë tokën”, më tha. Por kur e pyeta për spitalet, kopshtet, shkollat dhe institucionet publike, heshti për disa sekonda. “Është bërë berllog kudo”, pranoi. “Perparim Rama punon, por nuk bën dot mrekulli. Ka vite që nuk punohet thuajse fare. Shumica paguhemi në të zezë, pagat janë të ulëta, por prapë nuk kemi më të mirë se Albini.”

Në kthim, panorama politike ishte krejt tjetër. Taksisti i dytë punonte dy vende pune dhe mezi priste lirimin e Hashim Thaçit. “Vetëm ai e bën Kosovën”, tha me bindje. Sipas tij, Prishtina po kalon ditë të vështira, por njerëzit tashmë janë mësuar me politikën dhe shpresojnë shumë tek emigrantët, jo vetëm për paratë që sjellin, por edhe për atmosferën dhe gjallërinë që krijojnë evente si festivali i Dua Lipës.

Kur e pyeta për pastërtinë e qytetit, ai nuk deshi të zgjatej. Me një buzëqeshje të hidhur tha se çdo mbrëmje i duhej të humbiste rreth 30 minuta vetëm për të gjetur një vend parkimi pranë shtëpisë.

U largova nga Prishtina me një ndjenjë keqardhjeje. Është një qytet që e dua, por që këtë herë e gjeta më të lodhur seç e kisha imagjinuar. Paradoksalisht, shumë prej banorëve dukeshin sikur ishin pajtuar me rrugët e papërfunduara, shkollat që mungojnë dhe mbeturinat që era i shpërndan nëpër sheshe e pedonale.

Për shumë prej tyre, shqetësimet kryesore mbeteshin vetëm dy: të pajtohen sa më parë Albin Kurti me Vjosa Osmanin dhe të lirohet Hashim Thaçi.

Kjo është Kosova që nuk do ta gjeni në Instagramin e Dua Lipës. Aty shfaqet një imazh që padyshim i bën mirë Prishtinës dhe promovimit të saj. Por përpara se festivalet të sjellin turistë, qyteti duhet të zgjohet, të organizohet, të pastrohet dhe të investojë seriozisht në hapësirat publike. Sepse sfida nuk është vetëm t’i sjellësh vizitorët për një fundjavë, por t’i bësh të duan të rikthehen.

Dua Lipa e bëri pjesën e saj. Tani radha i takon politikës.